Me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, as që diskutohej që do të cënohej direkt Kombëtarja e Shqipërisë dhe vetëm disa optimist të lindur na mbanin shpresat gjallë që një gjë e tillë nuk do të ndodhte. E keqja më e madhe është se vinim pas një suksesi të madh në arenën ndërkombëtare dhe ky lloj eksodi na dëmton jashtëzakonisht, pasi pritet të na largohen pjesa më e madhe (disa e kanë konfirmuar tashmë) e personazheve të suksesit, ose me fjalë të tjera, një pjesë e atyre që na bënë të ndjehemi dikushi nëpërmjet futbollit. Sigurisht do të ishte më mirë që ta merrnim me sportivitet këtë proces të pazakontë, nën moton se të gjithë kanë të drejtën e zgjedhjes dhe cilado qoftë ajo është e drejtë. Por fatkeqësisht, situata ka precipituar dhe është bërë agresive, është bërë totalisht shqiptare, ku kemi ditë që me gjuhët tona të mprehta po therrim me fjalë njëri tjetrin, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Eshtë e turpshme që gjatë kësaj periudhe të shkurtër kemi dëgjuar aq shumë të thuhet: shqiptarët dhe kosovarët, sikur jemi të ndryshëm, apo siç na diferencojnë ata që nuk na duan. Eshtë e pabesueshme se si trajneri i Kosovës, Bunjaki, pasi thirri publikisht dhe me arrogancë të gjithë lojtarët kosovarë të Kombëtares tonë për skuadrën e tij, tashmë ndjehet superior në situatën e krijuar dhe si për t’i shkuar deri në fund një ironie dashakeqe shpall heshtje shtypi deri në prag të ndeshjes së parë eleminatore ndaj Finlandës, duke i bërë kështu hyzmet arritjes së tij, me logjikën se tashmë sahati i shkatërrimit mund të rrotullohet edhe vetë.
Një publik i gjerë, që deri dje na ka mbështetur, por që tashmë kanë shpallur si më të rëndësishme simbolet e reja, të mbështetur edhe nga gazetarë të zëshëm të Prishtinës kanë filluar të jetojnë në ekstazë për suksesin që ka filluar të marrë jetë pas kuintave. Po na tallin se na gjetën të papërgatitur, kur në fakt ne nuk kishim pse të përgatiteshim, pasi i konsideronim tanët edhe atë që ikën edhe ata që mbetën. Ata thjeshtë po tentojnë të na nervozojnë, duke i bërë tifozllëk shpërbërjes tonë dhe për t’i dhënë dorën e fundit këtij “humori” banal, po na fyejnë duke na mëshiruar. Çfarë nuk kemi dëgjuar në këtë mes gushti, si thirrje për të porositur autobus të hapur, të njëjtë me atë që morën borxh për Majlinda Kelmendin, pasi shumë shpejt Europës do t’i vijnë kampionë të rinj. Apo marrëzi të tillë, si kërkesa që i bëjnë me kulmin e seriozitetit Ragip Xhakës (babai i Taulantit dhe Granitit), të cilit i kërkojnë të mbajë besën që ka dhënë, për t’i detyruar djemtë të luajnë për Kosovën. Dhe për të gjitha këto, këtej nga ana jonë pati nga ata që etiketuan si tradhëtar Milot Rashicën, një futbollist tek i cili ishin varur shpresat e së ardhmes. Shumë keq t’i drejtohesh kështu, pasi është shumë i ri. Po t’i përmendësh besën në kuptimin e keq të fjalës? Akoma më keq, pasi rëndon më shumë fjala. Ndoshta ka mbetur jashtë vëmendjes, por ky Rashica ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të përfaqësueses tonë U-21, skuadër që ndodhet në vendin e dytë në grupin e saj, në fushatën eleminatore për Europianin e Polonisë. Nëse e ruan këtë pozicion (dhe nëse ëndërrojmë nuk na kushton asgjë, siç bëmë edhe përpara finaleve të Francë 2016), ekipi i Jupit fiton të drejtën e diskutimit të një ndeshje kualifikuese në fazën “play off”, gjë që do të ishte një tjetër hap i madh nga ana sportive, por që në të njëjtën kohë do të na mbante të tendosur krenarinë kombëtare. Por për ndeshjet më të rëndësishme me Greqinë dhe Izraelin ne nuk do të kemi shërbimet e Rashicës. Atëherë, meqë tradhëtar dhe të tjera si këto janë shumë, unë po hap fjalorin shqip-shqip, për të gjetur se si quhesh kur ikën, kur braktis, kur ndërpret në mënyrë të njëanëshme një marrëdhënie që e ke zgjedhur me vullnet të lirë, i lidhur nga zemra dhe flamuri. Ashtu quhesh pra, po ne nuk po e quajmë. Po kur na thotë, kuptohet i nxitur edhe nga të tjerë më të mëdhenj në moshë, që bëri zgjedhjen e re për hir të vendlindjes. Rashica ka lindur në Vushtri, një qytet në Kosovë, i cili kufizohet nga Mitrovica në veri, Besjana në lindje, Kastrioti në jug, apo Drenasi në jugperëndim. Ndërsa mua më duket e njëjta gjë, si unë që rastësisht kam lindur në Tiranë, disa miqtë e mi që janë nga Kavaja, Vlora, apo Tropoja, si dhe ata që kanë lindur në Preshevë apo Tetovë. A e dini se pse ambasada ruse në Tiranë nuk i pajiste me vizë futbollistët kosovarë të Partizanit, Ibrahimin dhe Ramadanin, ndërsa në Beograd rusët ua dhanë vizat për punë minutash? Këtë e bënë vetëm për t’i dhënë jetë një harte të vdekur, sipas të cilës Kosova është pjesë e Serbisë, ku Vushtria quhet Vuçitrn, që kufizohet nga Mitrovica e Titos, Podujeva, Obiliçi dhe Glagovaci (emrat e vjetër nën Jugosllavi). Ndërsa ne mendonim se kjo Kombëtare që ka mbërritur me aq mund deri këtu përfaqësonte njëlloj të gjitha qytetet shqiptare, si dhe të tjerët që jetojnë jashtë trojeve tona.
Ky Bunjaki dhe këta tifozët e rinj që ka gjetur po na dëmtojnë vetëm ne, pasi ka një komunitet të madh shqiptarësh të Kosovës edhe në Kombëtaren e Zvicrës, është Valon Berisha në Norvegji, një lojtar shumë interesant, apo Shkodran Mustafi në Gjermani. Por ata është e vështirë t’i lëvizësh, pasi janë të mbuluar nga sponsorë, të cilët i kondicionojnë të qëndrojnë në përfaqësueset aktuale. Pra në këtë rast nuk të hyn shumë në punë patriotizmi, apo qyteti ku ke lindur. Ata ikën, ndërsa ne kemi një arsye të madhe të duam edhe më shumë ata që mbetën, duke përfshirë Plisat dhe Ballistët, atyre që u dhemb në ekstrem kjo Kombëtare. Ata që e kanë ndjekur në të mirë edhe në të keq dhe kur FSHF-ja ka abuzuar me çmimet e biletave, apo i ka nëpërkëmbur. Ndërsa për këta patriotët ironikë mjafton të sjell një strofë nga një poezi filozofike e mjeshtrit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, që titullohet “Qepa”: Dëgjoj si qepa nudo më thotë: “Ti qan për mua që petkat m’i zhveshe/ Dhe krejt lakuriqe më le nëpër botë/ Krejt lakuriqe, siç deshe”!…
Saimir Demi