Nga lavdia e Francës, tek ferri i trukimeve!

-Prapëseprapë, “çunat e raportit”, kanë bërë një lojë jo fort të sinqertë kur na servirin emra të ndryshëm në skemën e trukimit, të kësaj antiloje, por nuk përmendet emri i presidentit Duka. Njeriu që mori shumë lavde dhe bekime kur na çoi në Europian, shefi që u pagëzua si “magjistar” kur hipëm në tapetin e kuq, ka meritë të madhe, të padiskutueshme, që po na zbret në tapetin e zi-

Rroftë UEFA, poshtë UEFA! Kjo thirrje i shkon për shtat shefave të futbollit, sidomos presidentit Duka. Prej vitesh, na kishin mësuar me iluzionin se UEFA është perëndia e vërtetë e futbollit, dhe nëse topi ka zemër, ajo pulson vetëm në zyrat e tyre dhe askund tjetër. Por, futbolli është loja me lumturinë më të pasigurtë, me dashuri që transplantohen sipas..votës. Sapo zbritëm nga tapeti i kuq i Europianit, nuk e paskemi ditur, se shumë shpejt do të katapultonim në tapetin e zi. Në fillim dënimi 1- vjeçar i kampionëve të Skënderbeut, më pas, një raport me dosjen kampione të kampionëve.

Kur mëson numrin e ndeshjeve të trukura dhe gjurmimin intim të personave të ndryshëm nga politika deri tek futbollistët, të lind një mendim: UEFA, thellë-thellë, nuk e ka flakur dashurinë për shqiptarët, sepse me tërë ato ndeshje, 1 vit përjashtim nga Europa.. duket si karamele. Per habi,ajo që dhemb më shumë në këto momente, nuk është kercenimi nga sistemi piramidal i futbollit , por një hall tjetër më “ i madh” : përse UEFA zbulon këtë dosje të bujshme, pas një dënimi që është per ta puthur? Në kohën e Mishel Platinisë, edhe pse futbolli ndante shtratin me skedinën, nuk na hyri asnjë gjëmb. Po tani, ku kemi gabuar me drejtuesit e rinj të UEFA-s, me ata që do të komandojnë sa të bëhen zgjedhjet? Ca thonë është vetëm fillimi i denimit për 3 pikëshin e Beogradit, atëherë kur festuam gjatë, ngaqë shtrimë në tapet UEFA-n. Ka edhe një shpjegim tjetër, që shkon në favorin tonë: shyqyr që janë marrë vetëm me Skënderbeun, pale sikur ta kishin hapur lojën edhe me ekipet e tjera.

Të gjithë e kemi ditur se çfarë ndodh para syve tanë, por kur ta thotë UEFA, duket sikur nuk kemi qënë prezent. Tani bëjmë sikur habitemi me shifrat që kanë qarkulluar, me ndeshjet që janë përshirë nga “magjia e zezë”, me personat që ata kanë përmendur, me kompanitë e basteve që kanë patur binjakëzim. Prapëseprapë, çunat e raportit, kanë bërë një lojë jo fort të sinqertë kur na servirin emra të ndryshëm në skemën e kësaj antiloje, por nuk përmendet presidenti Duka. Njeriu që mori shumë lavde dhe bekime kur na çoi në Europian, shefi që u pagëzua si “magjistar” kur na hipi në tapetin e kuq, ka meritë të madhe që po na zbret në tapetin e zi. Logjika është e thjeshtë: për moshën e re të Skënderbeut, dosja është tepër e madhe. Po sikur të krijonin dhe një dosje tjetër, për tërë sistemin e futbollit, në dekadën e fundit. Prandaj, kemi arsye të themi: “Rroftë UEFA”. Pastaj, mos harroni, shpejt janë zgjedhjet në UEFA, dhe ‘babi Blater” ka paralajmëruar se një manekin slloven, i telekomanduar, po bëhet gati të marrë fronin e futbollit. A nuk e meriton edhe votën tonë, kur po na bëjnë kaq ndere…