Kampionia e Kosovës, nja dy vjet më parë, u deklarua se shpenzoi rreth 200 000 euro për skuadrën që fitoi titullin. Në Shqipëri, edhe skuadrat që luftojnë për mbijetesë në Superligë do të qeshnin me këtë shifër, e do të talleshin, jo pas krahëve, por sy në sy. Edhe Laçi, një klub modest, shpenzon 300 000 euro në sezon, ndërsa Skënderbeu, Flamurtari, Partizani, Tirana apo edhe Vllaznia e vjetshme, harxhonin dhe harxhojnë shumë e shumë më tepër.
Nga dalin këto para? Nga e drejta televizive? Jo, pasi asnjë klub nuk merr dot më shumë se 60 000 euro! Nga shitja e biletave? Aspak, pasi edhe Partizani e Skënderbeu mund të fitojnë jo më shumë se 150 milionë lekë të reja prej tyre në një edicion. Nga i quajturi “merçëndajzing” (merchandising), pra shitja e fanelave, shalleve e suvenireve të tjera? As mos t’iu shkojë mendja, pasi në Shqipëri ekziston vetëm tregu i zi, dhe aspak “tregu i bardhë”!
Atëherë, ku i gjejnë presidentët milionat për lojtarët e tyre, dhe përse shpesh herë janë korrektë, ndërsa së fundmi kanë hyrë në krizë sepse “burimet” janë “shterur”?! Duket se arsyeja është kjo e fundit, ndërkohë se kush janë “burimet”, në Shqipëri e di edhe një nxënës i klasës së pestë.
Shteti shqiptar nëse dëshiron që të largojë sado pak këtë “pisllëk”, do të duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, dhe të ndryshojë ligjin e sponsorizimeve, ndërsa në shtetin shqiptar fqinj, biznesit i ulet 30 për qind tatimi mbi fitimin, si vlerësim për kontributin në sport.
Sfidanti.al