Dhuna në Fushë Krujë, FSHF: Anulohet ndeshja Iliria-Skënderbeu

Federata e Futbollit ka njoftuar se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.

Dhuna e shkaktuar mes lojtarëve të dy skuadrave ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të anulojë ndeshjen.

“Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike. Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje.

 

Ndeshjet e tjera;

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së 14-të të Kategorisë së Parë. Kryendeshja e javës, përballja Laçi-Pogradeci është mbyllur pa fitues, në barazim të bardhë 0-0. Ndonëse kanë kërkuar me ngulm golin, si kurbinasit edhe liqenorët nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës dhe detyrohen të ndajnë nga një pikë.

Në sfidën tjetër Apolonia ka mposhtur me rezultatin 2-0 Besën. Fierakët konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë, marrin fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjiten në kuotën e 22 pikëve në klasifikim.

Korabi ka mposhtur Kastriotin 3-2 në Peshkopi, ndërsa Burreli fiton minimalisht 1-0 në shtëpi përballë Luftëtarit. Mbyllet në barazim pa gola 0-0 ndeshja Lushnja-Burreli.

Kujtojmë që sfida Iliria-Skënderbeu, e planifikuar për tu luajtur sot në Fushë Krujë, u shty për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.

Pas javës së 14-të, Skënderbeu (ndonëse me një ndeshje më pak) kryeson i vetëm renditjen me 34 pikë.


sfidanti.al