A do një penallti?  Si e do me stemë apo pa stemë..

Pyetja që sundon  javët është: është një çmenduri e kurdisur kjo që po ndodh me arbitrat, apo kanë dalë nga udha e “Zotit” dhe do të shpallen vetë  bomberat e kampionatit? Deri në fund të vitit, si në një plan të bërë me kujdes, kërdhiza e mëkatit të tyre mbetet pika e bardhë e penalltisë, atje ku kanë bërë ç‘kanë dashur me kokën e tjetrit, por edhe me kokën e vet. Edhe java e fundit ishte një provë e gjallë e “amokut” ( çmendurisë), ku në vendin e krimit, tek pika e bardhë e penalltisë ka bërë shfaqjen më të pakuptimte edhe njeriu me stemë, Enea Jorgji. Ai, për të cilin, Gjici i Kukësit kishte thënë një ditë se “ është tepër elegant për t’u parë”, ndërsa mund të thuhet pa hezitim  se është tepër zhgënjyes për t’u besuar. Laçi dhe Teuta akoma mund të jenë duke qeshur,  kur kujtojne stilin komik se si i vodhën nga një penallti njëra tjetrës.

Ka gabuar edhe Klajdi Kola në Gjirokastër duke bërë qokën e radhës për Kukësin, në një ndeshje ku frymëzimin joshës të Luftëtarit mund ta ndaloje me bilbil, por jo me zotësinë e futbollistëve të Kukësit, të cilët kanë gjetur një aleat që zakonisht nuk dallohet shumë nga besnikëria. Me përjashtim të rasteve kur urdhri vjen i prerë dhe lakonik: “ Mos i jep asgjë..asnjërit!  Si në ndeshjen Skënderbeu-Kukësi, ku palët rivale duke kundërshtuar njëra tjetrën në fushë, nuk u bezdisën fare nga dora e arbitrit Meta. Një arbitrim “në fije të perit” sa thuhej me humor “ shyqyr që erdhën tre arbitra të huaj”. Edhe foto e botuar ka nje moral: Meta tregon karton te kuq per koleget qe po harbojne. Në Gjirokastër edhe pritej një gabim, sidomos kur ndjek gjurmët e kronikës së zezë, por kjo nuk mund të falej në Korçë, ku pati një devijim nga skenari, pasi barazimi do të kishte qënë për hapje shampanje per zyrtarët.

Sfidanti.al