Ju kujtohet dasma e madhe e “futbollit vlonjat” sapo preku token avioni me milionat për të përdhosur një herë mirë borxhet, por më shumë, për t’i treguar edhe mjedisit të futbollit, akoma më shumë zyrave keqdashese, se piramidat e futbollit mund të jenë në çdo qytet, por as mos t’iu shkojë mëndja për Vlorën. Pale u shfaq edhe autobusi ultramodern, “britma e fundit e modës”, çmimi i të cilit u bë frymëzim për fantazinë, aq sa të gjithë thanë se tani Flamurtari është “Kina miliardere” në një kampionat që luan edhe me varfërinë, ngaqë topi vuan i sëmurë,por nuk vdes. Sapo është shfaqur autobuzi, për të cilin thonin se do të ishte shtëpia e dytë pas stadiumit, ka ndodhur një ngjarje e cila shpërfill milionat dhe jetën e papare brënda në autobusin, ku vetëm nënë e babë s’kishte: Qënka ndërruar stema e klubit Flamurtari! Po, po, një nga pasuritë më të mëdha të klubit, një nga simbolet që bashkon shumë breza të shquar të futbollit të këtij qytetit, befas, ka shkuar në fund të detit.
Në Vlorë ka shumë të indinjuar për këtë ndryshim historik në një familje , ndersa për çudi , futbollistët e Flamurtarit, ata që u ngjirën për milionat e vonuara,ata që u kolovitën në autobuzin që do t’i çonte drejt ëndrrave, as nuk dënjuan ta bënin reagim publik per këtë ndryshim me “botoks” të fytyrës. Edhe nga ky qëndrim kupton se “bosët” e milionave duan të ndërpresin me prepotencë trashëgiminë e vlerave në klub, duke krijuar një histori të re, një histori ku forca e parasë shpërtheka edhe sundukun e gjërave të rralla të familjes. Sa ironike për vlonjatët, kur dëgjuan fillimisht fjalët me mjaltë të padronëve të rinj se Flamurtari i sotëm do të risillte lavdinë e Flamurtarit që u nis në Europë të bënte historinë modeste të një klubi, dhe katapultoi përtej orbitës, duke ndezur krenarinë e një kombi. Ndryshimi i stemës së klubit zbulon se Flamurtari i sotëm, heq dorë nga trashëgimia, dhe udhëtimi me autobus “si ai i Barcelonës”, paska edhe një efekt shpëlarës edhe ne koke.
Gezim Sinemati