Të gjithë rrugët të çonin në Bugjejovice tek Shvejku, të gjithë pyetjet të çojnë tek trajneri Josa pas humbjes pa histori në Korçë. Ekipi bardheblu u tregua ndjeshëm i pafuqishëm në lojën sulmuese dhe për trajnerin Josa pyetjet bashkohen në një qortim: përse po e tepron me besimin që po i jep sulmuesit Cise? Të humbasësh me dy gola në Korçë nuk është si të prekësh fundin e detit, të privohesh nga një penallti si ajo e Takut, nuk është histori e pashijuar në këtë qytet, por ta mbyllësh kronikën vetëm me një shtyllë nga goditja standarte, kjo është kambana e alarmit për ekipin, që vetëm disa javë më pare, këndonte me zë të lartë këngën ndjellëse “ Jemi dhe ne për titull”.
Një nga trajnerët e padëshifrueshëm në pamje, Josa, ngaqë kur fiton dhe kur humbet kufiri është shumë pranë, këtë herë mund t’ia lexoje dëshpërimin pa e ditur kodin. “ Nuk bëmë lojë dhe nuk e goditem portën kundërshtare”. Ish-at, Bulku dhe Dallku bashkojnë zërat kur qortojnë trajnerin Josa për besimin e tepruar ndaj sulmuesit Cise, ka të tjerë që mendojnë se fakti që ekipi nuk fiton dot prej 5 ndeshjesh tregon se “bumi kolorit” në merkato ishte vetëm një alibi e radhës. Krejt ndryshe,një pakicë, që besojnë tek bestytnitë sportive, thonë se mund të jetë edhe “mallkimi” i Dajës për klubin që predikon familjen e bashkuar, kurse loja përgënjeshtron fjalët e bukura. Trajneri Josa, para se të jetë shumë vonë, ka arsye të merakoset për skuadren që ka humbur busullen e lojës në vazhdimësi, kurse më e keqja që e rëndon më shumë moralin, as nuk qahen dot kur në ndeshjet me Skënderbeun u vidhet diçka me vlerë . Tepër e çuditshme kjo Tirana pa forcë për të luajtur me kampionët dhe pa zë për të kërkuar të drejtën e saj.
G.Sinemati