Cili mund ta vinte në dyshim se FSHF është më shumë e interesuar për stolat e thyer në ndeshjen Partizani-Skënderbeu në “Elbasan-Arena”, sesa për numrin e “kokave” të goditura nga shkopinjtë e gomës të policisë. Futbolli dhe dhuna, një kombinacion i konsoliduar me sukses gjatë viteve të fundit, kanë shkaktuar një amoralitet në peshimin e dëmeve. Kokat që goditen apo përgjaken kur janë të arbitrave, apo edhe të tifozëve, as nuk figurojnë në inventarin e Federatës. Ajo tregon dhëmbët vetëm kur goditet koka e saj. E kemi përjetuar shpesh se si futbolli vë kujën, kur mavijoset apo preket “ushtria e telekomanduar”.
Sa koka janë goditur në Elbasan? Kjo pyetje nuk bën të skuqen as ata të policisë, as ata të Federatës së Futbollit që kanë një hall më të madhe se jeta e tifozit: stolat e shkulur në stadiumin e Elbasanit. Qofshin 300 stola të thyer, një shifër e zmadhuar kur ke oreksin që prej dhunës të fitosh para, qofshin gjysma e tyre, siç thuhet në deklaratën e Partizanit, të gjithë jemi të injoruar dhe të përçmuar nga numërimi i stolave dhe nga shpërfillja për ..kokat e gjakosura për një lojë që lëngon.