Nuk do të luajë në krah të Lionel Mesit, por gjithsesi do të veshë fanelën “blaugrana”. Rej Manaj është lojtar i Barcelonës, pasi klubi katalanas i pagoi Albasetes 700 000 euro për kartonin e tij, plus shpërblime të ndryshme, gjë që mund t’ia rrisë vlerën në gati 1 milionë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të luajë me Barçën B, ndërsa klubi i “Kamp Nout” i ka vendosur një klauzolë transferimi prej 50 milionë eurosh.
Kontrata e 22-vjeçarit vlen deri në 2023. Manaj nuk po gjente vendin e duhur tek Albasete, dhe kjo e bën pak të habitshëm faktin që Barcelona vendosi ta afronte. Shqiptari është padyshim i talentuar dhe jo më kot ishte në Akademinë e Interit, duke qenë protagonist në ekipin Shpresa zikaltër, por më pas nuk arriti ta përmbushte pritshmëritë dhe të tregonte gjithë potencialin e tij. Kohët e fundit, Manaj ishte përmirësuar dhe trajneri Reja e ktheu në kombëtare ku ai dha ndihmesë jo të vogël.
Sfidanti.al