Nga “vendi i bukur” (il bel paese) në futbollin e bukur (bel calcio)! Fjala pritje në Itali do të marrë fund sot në orën 18:00, pasi do të nisë përsëri një nga zonjat e rënda të topkëmbës europiane dhe botërore, Seria A. Edhe pse jo në kulmet e veta, si në vitet 80-të, 90-të apo fillim vitet 2000, edhe pse shpesh e kritikuar për futbollin pragmatik, të njohur me emrin “katenaço” (catenaccio), publiku botëror nuk mund të bëjë dot pa Italinë.
Në orën 18:00 zbret në fushë skuadra kampione, Juventusi, që do të provojë veten në stadiumin “Enio Tardini” të Parmës, duke mos e pasur në stol trajnerin Mauricio Sarri, që mbetet i sëmurë. Gjithsesi, Kristiano Ronaldo pritet në formacion, bashkë me Dibalën, ndërsa De Ligt mendohet se do ta nisë nga stoli, duke qenë në fushë dyshja titullare e mbrojtjes Kielini-Bonuçi.
Në 20:45, do të jetë radha e Napolit të provojë veten, edhe ky jashtë fushe, në Firence. Një sfidë tepër e vështirë ndaj Fiorentinës, për të cilën blerja e re Riberi do ta nisë nga stoli, ashtu siç do të jetë në stol për Ançelotin edhe një nga kapitenët e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.
Juventusi cilësohet si favorit për të mbrojtur titullin e fituar 8 herë radhazi, ndërsa Napoli e Interi mendohen si rivalët kryesorë. Ndeshjet e tjera të javës së parë luhen nesër.
Java 1, sot: Parma-Juventus 18:00, Fiorentina-Napoli 20:45; Nesër: Udineze-Parma 18:00, Verona-Bolonja, Sampdoria-Lacio, Spal-Atalanta, Torino-Sasuolo, Roma-Xhenoa, Kaljari-Bresha 20:45.
Sfidanti.al