Zomer nuk e ka për herë të parë, ia plasi shpirtin Bajernit edhe në 2019!

Nëse ndonjë lojtar duhet të shpallet më i miri i fundjavës, këtë e meriton vetëm ai. Askush si Jan Zomer në pesë ligat kryesore të Europës, ndërsa portieri zviceran bëri një paraqitje të pabesueshme duke mos lejuar Bajernin që të fitonte. Skuadra e trajnerit Julian Nagelsman u ndal për herë të parë këtë sezon, barazim 1-1 në Mynih ndaj Gladbahut, dhe “fajtori” për këtë ishte pikërisht Zomeri që bëri 19 pritje, një rekord i ri i Bundesligës. Vetëm në fund, Leroi Sane mundi ta thyente pas asistit të zëvendësuesit Musiala. Nagelsmani u nervozua aq shumë në momentin kur Gladbahu shënoi sa që ofendoi në distancë arbitrin, me një fjalë që nuk mund të shkruhet, kuptohet në gjaknxehtësi e sipër.

Nuk dihet se çfarë mase do të merret për të, veçse tekniku bavarez deklaroi se “fajtor që nuk fituam dot nuk ishte gjyqtari, por portieri kundërshtar që ishte i pabesueshëm”. Edhe trajneri i Gladbahut, Daniel Farke, iu përkul numrit 1 të tij. “Ne patëm një portier të madh sonte, – u shpreh tekniku, – nuk mund të thuash se pika e Bajernit ishte e pamerituar”.  Kapiteni i Bajernit, Manuel Nojer, koleg i Zomerit, deklaroi se ndeshja ishte e hidhur dhe dëshpëruese, veçse i bëri komplimentet e tij zviceranit. Jehona për 33-vjeçarin kaloi në të gjithë Europën. Mediat sportive e kishin si një nga lajmet kryesore, qoftë në Gjermani, Zvicër, Itali, Spanjë, Francë apo Angli.

Gjithsesi, kjo nuk ishte hera e parë që Jan Zomeri ia plas shpirtin Bajernit. Tre vjet më parë, zvicerani bëri një pritje të pabesueshme në sekondat e fundit të përballjes së dy ekipeve në Gladbah. Ai reagoi për 84 të qindat e sekondës ndaj gjuajtjes së Xhoshua Kimihut, duke shpëtuar portën në mënyrën më të skajshme, kur topi e kishte kaluar thuajse gjithë vijën fatale, e duke mbrojtur fitoren 2-1.

Sfidanti.al