Zemra e Napolit dhe Gatuzos mundin Juven, fitojnë Kupën e Italisë!

Nuk qenka e thënë që Mauricio Sarri ta fitojë një trofe në Itali, të paktën jo tani. Trajnerit napolitan iu mohua pikërisht nga skuadra e qytetit të tij të lindjes, Napoli, suksesi në Kupën e Italisë, dhe ai duhet të shpresojë për të fituar titullin kampion në Serinë A, për të mos dalë “rruar-qethur” edhe këtë sezon. Për momentin, i mbetet vetëm Liga e Europës që e mori vjet me Çelsin.

Në stadiumin “Olimpiko” të Romës, triumfoi Napoli i Xhenaro Gatuzos, që mori një dhuratë të dytë nga djemtë e tij, pak ditë pas suksesit gjysmëfinal ndaj Interit. Karakteri i fortë i të kaltërve, tipik i një skuadre të Gatuzos bëri që ajo të kapërcente epërsinë e përvojës dhe të cilësisë së Juventusit, diçka që, për hir të së vërtetës, mund të bëhet ndoshta vetëm me një ndeshje të vetme.

Jo vetëm kaq, por u deshën gjuajtjet e penalltive, që përfunduan 4-2 për Napolin, për të përcaktuar fatin e finales. Gjithsesi, fituesit e merituan sepse luajtën më mirë gjatë 90 minutave (sepse nuk pati shtesa). Napoli goditi shtyllën me Insinjen, pati raste radhazi në minutat 40, 41 e 42, e po ashtu pati 5 mundësi pas pushimit, edhe pse nuk mundi të shënonte. Elseid Hysaj nuk pati shansin që të ishte titullar, dhe e ndoqi ndeshjen nga stoli, por fitues ishte edhe ai.

Tek penalltitë, jugorët ishin të pagabueshëm me Insinjen, Politanon, Maksimoviçin e Milikun, ndërsa tek torinezët gabuan Dibala e Danilo, ndërsa shënuan Bonuçi e Ramsej.

Po Juventusi? Kristiano Ronaldo ishte sërish anonim, për të dytën ndeshje radhazi nuk arriti të shënonte, dhe duket se periudha e pandemisë ka ndikuar tek 35-vjeçari. Më aktiv Dibala që kërkoi edhe penallti, por përgjithësisht kampionët nuk mundën të imponoheshin. Pjaniç u zëvendësua edhe një herë, ndërsa kritikat do të bien të gjitha mbi Sarrin, e do t’i kujtohet se nuk di të fitojë dhe se nuk përshtatet me stilin e Juves. Ku i dihet, ndoshta fiton kampionatin dhe i mbyll “gojët e liga”.

Sfidanti.al