Ka qenë një sulmues vërtet i madh, një simbol i Arsenalit të Xhorxh Grahamit dhe Arsen Vengerit, por sot ndihet tepër i raskapitur. Lodhja e tij ka ardhur nga racizmi që ndesh në rrjetet sociale, dhe goditja e fundit ishte nga videoja e vrasjes së djaloshit zezak nga oficerë policie në Mineapolis të SHBA-së. Shënuesi i 387 golave për 7 klube në Angli e Skoci, ka “dorëzuar armët” pas një lufte të gjatë ndaj racizmit. “Jam i lodhur, – shkruan ai, – jemi të lodhur. Komentet, përgjigjet (në rrjetet sociale), çdo ditë duke u detyruar të shpjegosh veten. Kjo video. Jam thjesht i shterur. Ndoshta është koha për pak pushim”.
Rajti e ka hasur racizmin edhe kur luante futboll, por gjithsesi, ka qenë në një pozicion të privilegjuar me miliona paundë stërlina që fitonte nga profesioni. Krejt ndryshe nga qindra mijë apo miliona zezakë në Amerikë e në Europë, që nuk e kanë pasur fatin e tij. Sot, ai është i lodhur nga lufta kundër racizmit, pikërisht për shkak të jetës së lehtë që ka bërë, ndërsa të përngjashmit e tij kanë luftuar në kushte shumë më të vështira, dhe vazhdojnë ta bëjnë. Jo, Jan! Nuk të takon të lodhesh, as të shpjegosh veten. Nëse ju lodheni, kush do t’i përballojë racistët si oficerin e policisë Derek Shoven, që vrau Flojdin e shkretë?
Sfidanti.al