“Bernabeu” masakrohet nga ekskavatorët, por për t’u bërë më i bukur!

Planet ishin që punimet të kryheshin në verën e vitit 2022, por koronavirusi e pati një të mirë. Reali e shfrytëzoi kohën e ndërprerjes së kampionatit për të modernizuar stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku do të vendoset një çati lëvizëse, si dhe do të ketë hapësira të reja për t’u argëtuar. E gjitha kjo, sipas një projekti që në Spanjë cilësohet “futuristik”, pra për ardhmërinë. Gjithçka, me synimin për të rritur të ardhurat e për të mbajtur hapin me modernizimin e stadiumeve në Gjermani apo Angli. Punimet në stadium pritet të përfundojnë në muajin tetor.

Për sezonin e La Ligës që do të nisë në qershor, Reali ka marrë leje nga autoritetet që të luajë në stadiumin që i përket ekipit të të rinjve (Kastija). Ky është “Estadio Alfredo Di Stefano”, i ndërtuar në kompleksin sportiv të klubit në “Valdebebas”, në periferi të Madridit. Ndeshja e fundit në “Bernabeu” ishte në 1 mars, “El Klasiko” ndaj Barcelonës fituar 2-0. Ndoshta, ndryshimi i stadiumit mund t’i prishë punë skuadrës së Zidanit në La Liga, ku ndodhet në vend të dytë, 2 pikë pas Barçës. Reali është ende në Champions, ndonëse është mundur 1-2 në Madrid nga Mançester Siti.

Sfidanti.al