Nuk mund të duronte më pas barazimit me Levadhiakosin. Presidenti dhe pronari i Olimpiakosit, Evangjelos Marinaqis, u mbush aq shumë me zemërim dhe maraz, saqë shpërtheu në një sulm të paprecedentë ndaj shumë prej lojtarëve të ekipit të tij.
“Ju do të largoheni që këtu dhe nuk do të ktheheni më këtu, – bërtiti ai, sipas mediave greke, – unë dhe tifozët ju kemi toleruar boll. Unë do ta krijoj Olimpiakosin nga fillimi dhe do të ndërtoj ekipin e ëndrrave. Do të marr futbollistë të rinj nga U20, dhe ata japin gjithçka sepse bëjnë një jetë të thjeshtë, ndërsa ju mendoni më shumë për gratë tuaja, për shtëpitë dhe për makinat”.
Marinaqisi 50-vjeçar është shumë i shqetësuar sepse ekipi i tij mund të përfundojë në vend të tretë në kampionatin grek, dhe të mbetet jashtë Championsit, ndonëse ka buxhetin më të madh nga çdo klub tjetër. AEK-u i Athinës është në vend të parë të renditjes me 60 pikë, ndërsa PAOK-u i Selanikut është i dyti me 55. Olimpiakosi vjen menjëherë pas tij me 54.
Presidenti akuzoi lojtarët se për faj të tyre ai shkarkoi 3 trajnerë këtë sezon, të tillë si Besnik Hasin apo Taqis Lemonisin, ndërsa edhe trajneri i tanishëm, Oskar Garsia, nuk i ka punët mirë, me eleminimin edhe nga Kupa e Greqisë.
Sfidanti.al