Viti i madh i Luiza Gegës, nga titulli ballkanik, Mesdheu, Botërori dhe Europiani!

Gjithçka nisi në mënyrë disi modeste. Luiza Gega e nisi këtë vit në një turne që tashmë për të është i vogël, si kampionati ballkanik në salla të mbyllura. Atletja shqiptare nuk zhgënjeu duke e mbrojtur titullin në gadishull, ndonëse mendimet e saj ishin për më larg dhe për shumë më tepër. Pas përgatitjeve të pranverës, erdhi prova e parë, Lojrat Mesdhetare në Oran të Algjerisë, ku 33-vjeçarja kishte detyrë për të mbrojtur titullin në 3 000 metra me pengesa. Veterania kuqezi nuk zhgënjeu dhe jo vetëm që u shpall për të dytën herë radhazi kampione e Mesdheut, por e bëri këtë me një rekord të ri kombëtar dhe rekord të ri mesdhetar. Koha, 9’14”29.

Pasi u kualifikua për herë të dytë në finalen e kampionatit botëror, si e vetmja shqiptare që ia del, Gega tejkaloi edhe pritshmëritë e saj, duke dalë në vendin e pestë. Rekordi kombëtar, që mbetet ende për t’u thyer, ishte 9’10”04. i fundit ishte Europiani, një histori të cilën tashmë e dimë, pasi 33-vjeçarja e drejtuar nga trajneri Taulant Stërmasi fitoi medaljen e artë për herë të parë në karrierë. Politikanët kryesorë shqiptarë nxituan ta përshëndesnin. Kështu bëri kryeministri Rama menjëherë pas garës së mbrëmshme. Po ashtu, i shpejtë kreu i opozitës Sali Berisha që e përgëzoi Gegën në FB. Më i vonshëm, por që gjithsesi nuk mungoi, presidenti i vendit, Bajram Begaj.

Gjithsesi, politika duhet të mbajë përgjegjësinë që Gega nuk ka kushtet e duhura për stërvitje në Shqipëri, pasi e përshtatshme është vetëm Korça në verë, por jo në dimër sepse nuk ka sallë të mbyllur. Elbasani ka pistën e hapur, por ndotja pengon jashtëzakonisht shumë. Po ashtu, as Tirana nuk ka sallë të mbyllur dhe vetëm së fundmi do të ketë pistë atletike. Gjithsesi, Luiza Gega vazhdon ta sfidojë politikën dhe të fitojë në emër të shqiptarëve.

Sfidanti.al