Veteranët Ronaldo e Kavani shpëtojnë Solskjerin, por cilit Man. Junajtid t’i besojmë?!

Pozicioni në renditje tregon se ekipi është “edhe kështu, edhe ashtu”, ndërsa reagimi në Londër ishte prej skuadre të madhe. Mançester Junajtidi pati kaq shumë kritika pas shpartallimit ndaj Liverpulit (0-5) saqë “i erdhi të plaste” dhe mezi priti të tregonte se nuk ishte ashtu. Ia doli mbanë, por gjithsesi duke pasur përballë një Totenhem që është hija e vetvetes, dhe sidomos me dy lojtarët më të rëndësishëm si Kejn e Son që janë edhe më “zi” sesa hija e vetvetes. Kristiano Ronaldo, Edinson Kavani dhe Markus Rashford ishin autorët e golave dhe trajneri Ole Gunar Solskjer vlerësoi sidomos dy sulmuesit veteranë, Ronaldon e Kavanin, për rolin e tyre udhëheqës në fitoren 3-0. Junajtid mbetet 8 pikë larg Çelsit të vendit të parë, ndërsa Liverpuli që është i dyti ka 22 pikë ndaj 17 të “djajve të kuq”. Gjithsesi, lëkundjet kanë qenë të shumta dhe sidomos golat e pësuar, plot 15 në vetëm 10 ndeshje.

Sfidanti.al