“Vera e vjetër” është më e mirë për Bajernin e Mynihut!

Jup Hajnkes është një nga trajnerët më të dashur për tifozët e Bajernit, dhe dreka e Uli Hënesit me Pep Guardiolën paska prodhuar pikërisht këtë emër për stolin bavarez. Njeriu që e mbylli karrierën “një herë e përgjithmonë” në 2013, u largua me një aureolë të shkëlqyer pas fitimit të Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve. Në atë kohë, Hajnkes tha “stop, pensionohem”, por Bajerni e kërkon përsëri dhe ai e ka të vështirë të refuzojë, edhe pse është 72 vjeç. Kjo do të thotë 5 vjet më i madh se Arsen Venger, dhe thuajse sa mosha e Sër Aleks Fergusonit kur u largua nga Mançester Junajtidi.

“Vera e vjetër” qenka më e mirë për drejtuesit në Rrugën “Zebener” (Saebener Strasse), pasi për Hajnkesin ata po hedhin tej kandidaturat e Tomas Tuhelit, Julian Nagelsmanit, por ndoshta edhe të Jurgen Klopit apo Luis Enrikes. Këta të gjithë, sidoqoftë, mund të kenë shans në të ardhmen, pasi “plaku” Jup nuk besohet të vazhdojë gjatë në stol, ndoshta deri në fund të sezonit. Ai e ka udhëhequr Bajernin në 1987-91, pesë ndeshje në 2009 (4 fitore, 1 barazim), dhe në 2011-2013, duke fituar 3 Bundesliga, Kupën e Gjermanisë dhe Championsin, e duke pasur bilancin me 312 ndeshje 200 fitore, 59 barazime e 53 humbje.

Sfidanti.al