Vendet e Ulëta kanë pasur gjithnjë një vend të veçantë në traditën katalanase të futbollit, që nga epoka e Johan Krujfit dhe Johan Neskensit, dhe e presidentit Nunjez. Të tjerë si Van Gal e Rajkard kanë shkëlqyer në stol, lojtarë të ndryshëm kanë qenë në fushë, ndërsa filozofia ka qenë gjithnjë ajo e futbollit total. Gjithsesi, njëri prej heronjve të shkuar të Barcelonës, Luis Van Gal, është i zemëruar me ish-klubin e tij. Trajneri i Holandës i del në krah patriotëve të tij në “Kamp Nou” që janë nën kritikë, si Ronald Kuman e sidomos lojtarëve Memfis Depai e Frenk De Jong.
“Është diçka tipike e Barcelonës, – tha 70-vjeçari, – kur gjërat shkojnë mirë nuk ka problem, por kur nisin vështirësitë fillohet që të fajësohen të huajt. Unë jam i lumtur me Depain, kurrë nuk kam pasur një sulmues të tillë, që vrapon kaq shumë, kthehet kaq prapa në ndihmë të mbrojtjes dhe ka kaq shumë kontakte me topin”. Van Gal e drejtoi Barcelonën në 1997-2000 dhe në 2002-2003 duke fituar dy tituj kampion. Ai fitoi Championsin me Ajaksin “adoleshent” në 1995 në finalen ndaj Milanit të madh.
Sfidanti.al