E vërteta ka shumë momente, por ky i sotmi është plotësisht i tillë. Nëse ka ndonjë ndeshje që cilësohet finale, e tillë është edhe përballja e Shqipërisë me Poloninë në “Arenën Air Albania”. Kjo sfidë me nisje në 20:45 mund të na japë praktikisht kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës. Një fitore do të na shkëpuste në 4 pikë me polakët, me dy ndeshje në dispozicion njëra prej të cilave në shtëpi ndaj Andorrës. Gjithsesi, ka probleme. Cikalleshi mungon i infektuar me Kovid, Gjimshiti i dëmtuar e Çekiçi i pezulluar. Trajneri Reja pritet të luajë me skemën standard 3-5-2, me Bajramin në vend të Çekiçit dhe Veselin për Gjimshitin. Dilemat e vetme në sulm ku mund të jetë dyshja Broja-Manaj.
Në të kundërt polakët nuk kanë shqetësime, me vetëm një pezullim. Kundërshtari pati ndeshje të lehtë të shtunën ndaj San Marinos, duke lënë pushim shumë yje kryesorë, mes të cilëve edhe Levandovskin. Bilanci me polakët është negativ me 1 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje, dhe suksesi i vetëm është arritur gati 70 vjet më parë.
Sfidanti.al