Humbja e parë natyrisht që do të vinte, dhe si shpesh herë erdhi atëherë kur askush nuk e priste. Jo plotësisht një rrufe në qiell të kaltër, por sidoqoftë habitëse që Barcelona doli e mundur nga fusha vetëm pak ditë pas fitores së madhe 4-2 në stadiumin e Sociedadit. Gjithsesi, ishte një derbi dhe Ernesto Valverde duhej ta dinte se rezultati i një sfide të tillë nuk mund të parashikohet kurrë.
Espanjoli fitoi 1-0 në fushën e vet për Kupën e Mbretit, në takimin e parë çerekfinal dhe katalanasit rrezikojnë seriozisht të dalin jashtë kompeticionit ku janë rekordmenë me 29 tituj të fituar. Jo vetëm kaq, por Barça e ka fituar Kupën në tre edicionet e fundit radhazi.
Përtej humbjes së parë të Valverdes erdhi edhe humbja e penalltisë nga Lionel Mesi, me argjentinasin që është vërtet gjeniu i futbollit botëror, por që nuk i ka punët shumë mirë nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Gjithsesi, derbi do të mbahet mend edhe për lojën e rëndë, plot faulla dhe hile, si dhe për goditjen në fytyrë të portierit të Barçës, Cilesen, nga një object i hedhur nga tribuna e tifozëve.
Katalanasit do të përpiqen të përmbysin shifrat dhe të arrijnë në gjysmëfinale, në sfidën e dytë që do të luhet në 25 janar në “Kamp Nou”. Kjo ishte humbja e parë e sezonit për “azulgranët”, duke pasur parasysh se ndeshjet e Superkupës së Spanjës ndaj Realit ishin pjesë e edicionit të kaluar.
Sfidanti.al