Uzuni në La Liga, kombëtarja ka 13 lojtarë në kampionatet elitare në Europë!

Më në fund mund të krenohemi se jemi pjesë e kontinentit. Pas transferimit të Myrto Uzunit tek Granada në Spanjë, në kombëtaren shqiptare ka plot 13 futbollistë që luajnë në kampionatet më elitare të Europës. Kontinenti ka 5 liga që cilësohen veç nga të tjerat, në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani e Francë, dhe Shqipëria ka më shumë se një formacion në ekipet e tyre. Rekordin e mban Seria A në Itali, ku ne kemi plot 9 futbollistë. Portierët Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha janë përkatësisht tek Lacio dhe Torino. Mbrojtja është thuajse plotësisht “e kaltër”, me Berat Gjimshitin tek Atalanta, Elseid Hysajn tek Lacio, Marash Kumbullën tek Roma, Frederik Veselin tek Salernitana dhe Ardian Ismajli tek Empoli.

Përjashtimi i vetëm është Ivan Balliu që luan për Rajo Vajekanon në La Ligën e Spanjës. Në mesfushë kemi një lojtar në La Liga, dhe pikërisht Keidi Baren që mban fanelën e skuadrës katalanase të Espanjolit. Një tjetër është në Serinë A, dhe pikërisht Nedim Bajrami i Empolit, që pëlqehet nga klube të njohur si Napoli, Lacio apo edhe Milani. Në sulm kemi 3 lojtarë që luajnë secili në një ligë të madhe. Armando Broja është ylli i sezonit dhe po shkëlqen në Premier Ligën angleze me Sauthemptonin, i huazuar nga Çelsi. Interesimi për të është tepër i madh nga Njukasëlli, Uest Hemi, Lidsi, Evertoni apo Uolvesi, ndërsa kartoni mund të arrijë në 40-50 milionë euro.

Rej Manaj është në Serinë A me Specian, një rikthim pas disa vjetësh në Spanjë, deri në Barcelonën B. Myrto Uzuni bashkohet në këtë shoqëri, si lojtar i Granadës në La Ligën spanjolle, dhe për kartonin paguhen nga 3 deri në 3.5 milionë euro. Sulmuesi beratas ishte lojtari më i spikatur i Ferencvaroshit në Hungari me 36 gola e 14 asistë në 67 ndeshje.

Sfidanti.al