Usik është “Kliçkoja i ri” i Ukrainës, Xhoshua humbi titujt dhe 100 milionë paundë!

Fillimisht, ai u duk si një i paftuar që hyri pa trokitur në një dhomë ku po prisnin dikë tjetër. Nuk ishte Oleksandr Usiku njeriu që publiku britanik dëshironte të shikonte përballë Entoni Xhoshuas, ndërsa duket i destinuar si viktima e radhës në “Lojën e Madhe” mes dy boksierëve anglezë të peshave të rënda. Usik tregoi në Londër se kishte plane të tjera dhe vetë analistët britanikë, plus edhe gjyqtarët e pranuan epërsinë e tij. Fitorja e ukrainasit nga Kievi ishte e pastër, ndërsa ai tregoi talentin më të madh, shpejtësinë vërtet shumë më të rrufeshme, dhe lëvizshmërinë që na kujtoi Muhamed Aliun dhe së fundmi Genadi Genadijeviç Golovkinin.

Natyrisht, nuk ishte ndeshja spektakolare, siç ishte ajo Ali-Foreman, apo Golovkin-Kanelo Alvarez, por gjithsesi Usik shtangu Londrën duke fituar me meritë ndeshjen dhe 3 brezat e artë. Në fund, mund të jetë pikërisht ukrainasi që mund të ndeshet me Tajson Fjurin, i cili më parë do të ndeshet me amerikanin Diontej Uajlder. Usik ka tani brezat e kampionit të botës në 3 versione, ndërsa rezultati ishte 117-112, 116-112 dhe 115-113. Xhoshua ndoshta ka humbur mundësinë për 100 milionë paundë stërlina që do t’i fitonte nëse do të ndeshej me Fjurin. Në fund, Vitali Kliçko e përqafoi në ring Usikun që deklaroi se “unë mund të jem edhe më i mirë se kaq”.

Sfidanti.al