Edhe një titullar fiks si Berat Gjimshiti e ka të vështirë. Mbrojtësi i Atalantës është simboli më i qartë i problemeve që po kalojnë këto kohë disa nga lojtarët e kombëtares, sidomos në Serinë A në Itali. Gjimshiti luajti rreth 30 minuta në barazimin 2-2 në fushën e Interit, ndërsa disa kuqezinj të tjerë e kanë edhe më pisk. Portierët e përfaqësueses vazhdojnë të ngrohin stolin, dhe kjo vlen sidomos për Tomas Strakoshën i cili humbi një rast të madh në gabimin që bëri në Ligën e Europës, në humbjen 0-1 të Lacios në Turqi ndaj Gallatasarajit vendas.
Vështirë që shqiptari të ketë mundësi të shumta këtë sezon në ekipin e trajnerit Mauricio Sarri, siç u pa edhe në ndeshjen e Serisë A barazuar 1-1 në Torino, kur ishte në stol. Për fat, Elseid Hysaj vazhdon të luajë titullar në çdo ndeshje. Në sfidën Torino-Lacio, u pa sërish që portieri i torinezëve, Etrit Berisha, mbetet rezervë, diçka aspak e pëlqyer për kapitenin e kombëtares.
Tek Empoli nuk janë më ditët e shkëlqimit për Nedim Bajramin. Mesfushori që u vlerësua lart derisa fitoi fanelën kuqezi, është ulur në stol dhe ka një konkurrencë të ashpër me Di Françeskon. Rezervë për Empolin edhe mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli. Sulmuesi kuqezi, Rej Manaj, shpreson të aktivizohet për Specian, por si fillim ai hyri si zëvendësues në minutën e 61-të në humbjen 1-2 ndaj Milanit në Serinë A. Duke mbetur në Itali, Marash Kumbulla është i abonuar me stolin tek Roma e Murinjos, dhe vështirë se mund të luajë, të paktën siç duken gjasat.
Në Angli, Armando Broja ka marrë disa këshilla nga trajneri i tij, Hazenhutël tek Sauthemptoni. Pas një nisjeje të mirë ndaj Uest Hemit, Broja luajti titullar në Kupë kundër Shefild Junajtidit duke u paraqitur jo siç duhet. “Ai ka ende shumë punë për të bërë që të luajë titulluar në Premier Ligë, – thotë trajneri”. Sulmuesi shqiptar pati pak lidhje me lojën, shpesh e humbi topin, dhe bëri pak në sulm. Në fund, humbi edhe penalltinë.
Sfidanti.al