Në një moment, telefoni lëshoi dridhjen apo tingullin në xhep, dhe i zoti e nxorri për të parë të rejat. Ishte një mesazh, një sms, veçse nga ata që ndryshojnë një karrierë. Diego Kosta shtypi butonat e celularit të tij smart dhe pa se dërguesi i mesazhit ishte trajneri i tij, Antonio Konte. Pasi lexoi atë që ishte shkruar aty, sulmuesi brazilian kuptoi se Konte tashmë duhej të quhej ish-trajneri i tij, dhe Çelsi, ish-skuadra e tij.
“Trajneri më shkruante se unë nuk isha më i nevojshëm në skuadër dhe se duhej të gjeja klub tjetër”, – u shpreh lojtari i natyralizuar si spanjoll. Ky përfundim lë shumë për t’u kuptuar sesi shkojnë punët në futboll dhe sesa fuqi ka trajneri në momente të caktuara, sidomos kur ai arrin të fitojë. Konte, kampion i Anglisë, është i plotfuqishëm në vendimet e tij dhe, ndonëse Kosta ishte shënuesi kryesor i skuadrës, italiani nuk ia ka harruar konfliktet, dhe duket se nuk ka besim të plotë tek ai.
“Duket se nuk kam pasur një sezon të mirë, – u shpreh me ironi Kosta, – kështu del nga mënyra sesi më lajmëruan për largimin”. Sulmuesi do të kishte dashur të shkonte tek Atletiko, por klubi spanjoll është i dënuar nga FIFA për të mos bërë transferime, por nuk besohet ta ketë të vështirë të gjejë ekip. Tek Çelsi, ndërsa presin 100 milionëshin, Romelu Lukaku.
Sfidanti.al