Sot nuk lihen më në gozhda si dikur (apo siç e linte xhaketën e tij të famshme “xhaxhi” Farruk Sejdini), por hidhen në kosh, ose ato më të famshmet ruhen si koleksion. Uejn Runi me siguri duhet t’i ketë ruajtur disa palë këpucë, ndërsa tashmë vendosi t’i jepte fund karrierës së futbollit për t’u bërë trajner me kohë të plotë. Geri Lineker e tha me të drejtë se “po largohet një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë së futbollit anglez”. Padyshim, edhe të atij botëror.
Golshënuesi më i mirë i historisë së kombëtares së Anglisë, dhe golshënuesi më i mirë i historisë së Mançester Junajtidit fitoi 16 trofe në karrierë. Jo sa një Mesi, Ronaldo apo Ibrahimoviç, por sërish shumë për të qenë në “Panteonin” e topkëmbës. Pese herë kampion i Anglisë, një herë kampion i Europës dhe i botës me Junajtidin. Po largohet as i vogël dhe as i madh, plot 35 vjeç, ndonëse ka nga ata si CR7 e Ibra që duan të luajnë përjetë. Uejn Runi është shënuesi i dytë më i mirë i Premier Ligës (208 gola) pas Alan Shirerit dhe njeriu-asist i tretë në renditje me 102 të tillë. i lindur në Liverpul, ai luajti për blutë e Evertonit, pastaj u bë legjendë në “Old Traford”. Ai shënoi 313 gola për klubet dhe 53 për Anglinë
Sfidanti.al