Lacio barazon rekordin e fitoreve në derbi, afrohet me Championsin!

Kjo skuadër dihej se nuk kishte ndërmend të dorëzohej, pavarësisht nisjes jo shumë të mirë të sezonit në Serinë A, dhe problemeve mes trajnerit e presidentit. Në Itali këto janë gjëra që ndodhin dhe Lacio e dinte vlerën e skuadrës dhe faktin se Simone Inzagi kishte vite që punonte me grupin, pra mund të bënte diçka edhe në derbin ndaj Romës. Përfundimi ishte një 3-0 e pastër për bardhekaltërit, që “ngjyen” kryeqytetin e Italisë me ngjyrat e tyre.

Çiro Imobile në 14’ Luis Alberto në 23 dhe sërish Luis Alberto në 67’ ishin autorët e golave, në një sfidë në “Olimpiko” që mund të kishte pasur më shumë dhe nga të dyja skuadrat. Nga shqiptarët, titullar nuk ishte asnjëri dhe pati vetëm disa minuta për Vedat Muriqin që u hodh në fushë në minutën e 83-të. Fitorja 3-0 ishte barazimi i rekordit lacial në derbi, pasi po me shifrat 3-0 kishte fituar në 2006 e 2019. Fituesit e merituan, ndërsa Roma rrezikoi vetëm në fund me anë të Edin Xhekos.

Në renditje, Lacio 31 pikë në 18 ndeshje, Roma mbetet në 34 pikë gjithashtu në 18 ndeshje, ndërsa Juventusi mund ta parakalojë pasi ka 33 me dy sfida më pak të luajtura. Sulmuesi kryesor lacial, Çiro Imobile arriti në 147 gola në kampionat, baraz me Omar Sivorin në vendin e 28-të të shënuesve të Serisë A, me një grup të vetëm.

Sfidanti.al