U nis me biçikletë nga Serbia për në Elbasan për të parë  ndeshjen, por…!

Dragan Shibaliç, tifoz i madh i Partizanit të Beogradit, qysh javën e kaluar, paralajmëroi se kishte në plan që të shkonte me biçikletë në Elbasan që të shihte ndeshjen e raundit të 3-të të Ligës së Evropës mes Skendërbeut të Korçës dhe Partizanit të tij, por pa bërë shumë rrugë, hoqi dorë nga kjo aventurë e tij, për shkak të reagimit të mediumeve në Shqipëri që e konsideruan vajtjen e tij në Elbasan si “provokacion”, vinte në dukje sot media serbe.

Sipas kësaj të fundit, Shibaliçi u nis nga Kraljevo për në Elbasan, por, më pas, duke iu bindur këshillave të disa miqve të tij, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara për shkak të Kosovës dhe, në radhë të parë, duke pasur në konsideratë se shtypi shqiptar e kishte cilësuar atë “provokator”, ai, sipas medias serbe, hoqi dorë nga udhëtimi i tij.

“Përfundimisht, u ktheva me zemër të thyer në Kraljevo, pasi hoqa dorë nga udhëtimi për në Elbasan. Një miku im në Tiranë më njoftoi se disa mediume në Shqipëri kishin paralajmëruar ardhjen e tij në Elbasan, duke i hedhur ‘benzinë zjarrit” dhe duke më quajtur ‘provokator’! E çfarë do të më duhej mua që të prisja nga tifozët e atjeshëm? Asgjë të mirë, kështu që unë hoqa dorë”, shkroi në profilin e tij tifozi i lartpërmendur i Partizanit të Beogradit, duke shprehur keqardhjen që e kishte paralajmëruar vajtjen e tij në Elbasan.

“Vetë e bëra gabimin, se e bëra publike vajtjen time. Duhej të kishta heshtur dhe të shkoja pa zhurmë atje e të kthehesha dhe, me pas, të tregoja se kisha qenë në Elbasan”, vuri në dukje Shibaliçi. Sikurse dihet, të dy klubet, Skënderbeu dhe Partizani kanë rënë dakord që të mos ketë vajtje të organizuara tifozësh në vendet e njëri-tjetrin me rastin e dy ndeshjeve mes ekipeve në fjalë, në Elbasan dhe Beograd, me qëllim që të shmangen incidentet dhe, si pasojë, edhe dënimet eventuale nga UEFA.

Sfidanti.al