Janë raste të rralla që tregojnë sesa shumë publiku e mbështet ekipin e tij. Dikur, në finalen e Kupës UEFA mes Portos së Murinjos dhe Sëlltikut, luajtur pikërisht në Spanjë, dhe pikërisht në Sevilje, në qytet mbërritën 80 000 tifozë skocezë ndonëse stadiumi mbante 53 000 vetë. Këtë herë këtë rekord do ta thyejnë gjermanët. Tifozët e Ajntrahtit të Frankfurtit kanë bërë 100 000 kërkesa për bileta për finalen e Ligës së Europës në Sevilje, në të njëjtin stadium. Dhe shikoni, shikoni, në finale do të jetë sërish një ekip skocez, Gllazgou Rejnxhërsi, e mund të presim që të ketë një numër të jashtëzakonshëm tifozësh edhe nga Skocia. Në Spanjë shkruajnë se po përsëritet ajo që ndodhi në Barcelonë, kur 25 000 tifozë të Frankfurtit zunë vend në “Kamp Nou” (dhe në qytet ishin të paktën 30 000), në ndeshjen historike kur ekipi gjerman eliminoi katalanasit. Këtë herë do të jenë shumë më tepër.
Sfidanti.al