Le të heqim dorë një herë e mirë nga legjendat invididuale që fituakan ndeshje. Nuk e ka bërë dot i vetëm as Majkëll Xhordan, as Pele e Maradona, pra nuk e bëri dot as Mesi. Në duelin e Lisbonës për një vend në gjysmëfinale të Championsit, fitoi skuadra më e përgatitur, me emrin Bajern, ndaj asaj më pak të përgatitur, Barcelonës. Ishte, në të vërtetë, një turpërim historik, nga ata që ne shqiptarët i quajmë “ia bëri 8-2”, pasi i tillë ishte rezultati.
Nuk u shfaq aspak ai dueli që mezi e prisnin, Mesi-Levandovski, pasi argjentinasi nuk u duk thuajse askund, ndërsa polaku mezi e shënoi një gol, edhe pse synon ende rekordin e Kristiano Ronaldos. Triumfoi Bajerni me një trajner shumë të mirë si Hansi Flik, fitoi një ekip me harmoni të plotë, me klub që drejtohet nga njerëz të ditur e të përgjegjshëm, jo nga ata që blejnë kompani lobimi për të turpëruar lojtarët e tyre. Populli thotë “nëse pështyn mbi kokën tënde, të bie në fytyrë”.
Bajerni pati në fushë disa kapitenë, që nga Nojeri, Kimih, Myleri, Levandovski, Boateng. Pati edhe ndihmën e një shteti dhe të një shoqërie si ajo gjermane, që krijoi kushtet që Bundesliga të niste më përpara se të gjitha ligat e mëdha të Europës, e të përfundonte më shpejt, që futbollistët të kishin kohë për të pushuar, e për t’u përgatitur. Futbolli nuk është ndonjë veprimtari alienësh, që të jetë e shkëputur nga ndikimi i shoqërisë.
Tomas Myleri shënoi dy gola, dhe tani ka 6 ndaj Barcelonës, Filip Kutinjo realizoi po dy ndaj ekipit që nuk e deshi, Perishiç, Gnabri, Perishiç, Dejvis e Levandovski shtuan nga një. Edhe nga dy golat e Barçës, një ishte autogol i Alabës, dhe tjetri i Luis Suarezit. Tani dihet se do të largohet trajneri Kike Setien, por nga klubi katalanas duhet të largohen shumë të tjerë.
Sfidanti.al