Tronditje në Uimbëlldon, anglezët humbasin favoritin Marrej!

Një dëmtim dhe një amerikan i fortë ishin shkaqet dhe fatkeqësia në fushën qendrore të Uimbëlldonit ndodhi. Andi Marrej u eleminia në çerekfinale, mposhtur në pesë sete nga Sem Kuerri. Anglezi ishte në kontroll, ndonëse gjithnjë duke vuajtur, por pas setit të tretë, një dëmtim në ijë e kushtëzoi keq. Numri 1 i botës nuk mundej të lëvizje shumë, ashtu siç duhet, dhe diçka e tillë në sportin profesionist, ashtu si në xhungël, është e barabartë me vdekjen. Kuptohet, “vdekje sportive”, jo si bishat në pyll.

Kuerri e shfrytëzoi plotësisht mundësinë e madhe që iu dha, duke fituar setin e katërt dhe të pestë me të njëjtin rezultat të thellë, 6-1, shifra që nuk linin vend për asnjë diskutim.

Marrej fitoi setin e parë 6-3, humbi të dytin 4-6, dhe fitoi me shumë vështirësi të tretin, 7-6. Më pas, ai nuk mundi të konkurronte dhe humbi një shans të madh për të fituar Grand Slemin më prestigjioz të tenisit pikërisht përballë publikut të tij. Largohet kështu kampioni në fuqi dhe fituesi i dyfishtë i Uimbëlldonit, po ashtu edhe numri 1 i renditjes ATP. Marrej do ta humbasë vendin e parë nëse Gjokoviç fiton turneun, ndërsa rruga bëhet më e lehtë për serbin dhe për Federerin (që pritet të ndeshen në gjysmëfinale), pas largimit edhe të Rafa Nadalit.

Kuerri arriti, ndërkaq, për herë të parë në një gjysmëfinale Grand Slemi, dhe u bë amerikani i parë që ia del në Uimbëlldon që nga viti 2009 kur Andi Rodik doli deri në finale. Të shohim nëse do të dijë të dalë kampion.

Sfidanti.al