Përballja mes dy kampionëve të mëdhenj që do të ndeshen në ring në 26 gusht, ishte vërtet një teatër, por të paktën nuk ishte banal si ata që ofron rëndom boksi profesionist. Flojd Mejuedhër Xhunior dhe Konor Mekgregor ishin përballë, në një konferencë për shtyp, të planifikuar për të fituar sa më shumë të ardhura dhe për t’i bërë sa më shumë reklamë duelit të Las Vegasit. Vetë Mekgregor e quajti se “ka shumë zhurmë deri në fund të ditës, por ajo që vlen është ndeshja”. Pra, e quajti një teatër.
Irlandezi, i mbështetur nga një numër i madh tifozësh irlandezë në sallë (nga 11 000 spektatorë gjithsej), u tregua optimist dhe mori rolin e aktorit. Fotot e shkrepura e treguan qartë këtë, ndërsa amerikani ishte më i përmbajtur. Edhe fjalët e tyre ndryshonin. Mekgregor u tregua “garip” duke thënë se “unë do të fitoj në 4 raunde, ai është shumë i vogël dhe shumë delikat për mua, unë kam veshur kostum, kurse ai tuta sporti etj.”
Mejuedhër nuk iu përgjigj provokimeve, ndonëse tha se “ti do të ngresh në fund flamurin e bardhë”. Gjithsesi, ai e vlerësoi lart kundërshtarin. “Konor ka shans për të fituar, – tha boksieri, – gjithmonë është kështu, e patë se çfarë ndodhi me Manu Pakiaon. Ai është i ri, unë jam 40 vjeç, ai është aktiv, unë jo. Gjithsesi, rëndësi ka ndeshja. Ishin tifozët që e bënë të mundur, ata e deshën, edhe Mekgregor e deshi, po ashtu unë e desha. Më të mirët le të ndeshen”.
Sfidanti.al