Sheikët dhe ai vetë do të kishin dashur që kjo ndeshje të mos ishte luajtur aspak. Përderisa u anulua kampionati, kujt i hyn në punë Kupa e Francës, aq më shumë kur dëmtohet lojtari më i mirë i skuadrës. Kilian Mbape doli nga fusha që në minutën e 31-të të ndeshjes Paris SG-Sent Etien, i goditur pa mëshirë nga kapiteni i “të blertëve”, Lua Perre (Loic Perrin), i cili mori kartonin e kuq pas shikimit të aksionit me anë të VAR-it.
Mbape u nxorr nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa mbajti gjurin me dorë, e çaloi fort. Duhet të bëhen analizat, por ndjesia është që sulmuesi 21-vjeçar mund të ketë pësuar një dëmtim serioz. Shqetësimi nuk mund të thuhet se është për vazhdimin e karrierës, pasi ai është tepër i ri, por nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjet vendimtare të Championsit që nga mesi i gushtit. Ky lëndim ia bëri më pak të gëzueshëm PSG-së fitoren e Kupës.
Sfidanti.al