Ishte viti 1970 kur një skuadër jetë e mot inferiore, me emrin Saton Junajtid (Sutton United) doli në fushë ndaj njërit prej gjigandëve të futbollit anglez dhe europian, Lids Junajtid. Kjo e fundit, drejtuar nga trajneri i shquar Don Rivi, quhej “tmerri” i kontinentit, duke qenë dy herë fituese e Kupës së Panaiereve (më vonë Kupa UEFA), finaliste e Kupës së Kampionëve dhe finaliste e Kupës së Kupave, përveçse tri herë kampione e Anglisë dhe një herë fituese e Kupës së Anglisë. Plot 14 000 tifozë u ngjeshën në stadiumin modest “Gander Grin Lejn”, që sot ka një kapacitet prej vetëm 5 000 spektatorësh. Gjigandi Lids fitoi 6-0, duke i dhënë fund ecurisë-rekord të Saton Junajtid.
Ditën e djeshme, 47 vjet kaluar që nga ajo epokë, dy skuadrat u ndeshën përsëri dhe sërish në Kupën e Ligës. Ekipi i kategorisë së pestë e pati më në fund kënaqësinë e rrallë për të mundur rivalin e ndritshëm, 1-0, dhe për t’u kualifikuar për në të tetat e finaleve të Kupës, me 16 skuadrave më të mira të garës më të vjetër të futbollit në botë. Trajneri Pol Dosuell (në foto) u “mbyt” nga tifozët, ndërsa fitorja erdhi me golin e Xhemi Kollinsit (në foto), me penallti në 53’.
Saton Junajtid u bë i dyti ekip i kategorisë së pestë që arrin në të tetat e finaleve pas Linkoln Sitit, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Saton ka edhe një ndeshje tjetër të lavdishme në Kupën e Anglisë, pikërisht në 1988-1989 kur eleminoi Koventrin e Premier Ligës (në atë kohë quhej Divizioni i Parë), duke e mundur 2-1. Ajo ishte hera e fundit që një ekip i kategorisë së pestë eleminonte një ekip të elitës, deri në 2013 kur Luton mundi Noruiç Sitin.