Egjipti është “Reali i Madridit” i Kupës së Afrikës!

Futbolli afrikan është bërë i famshëm sidomos për atë që quhet “Afrika e Zezë”. Kameruni, Gana, Senegali apo Bregu i Fildishtë kanë shkëlqyer me radhë në Kupën e Botës, por nëse ka një ekip që dominon më shumë kontinentin, ky është Egjipti. Afrika e Veriut ka nxjerrë skuadra shumë fine, pavarësisht se jo aq të forta fizikisht sa ato të vendeve më në jug, mjafton të kujtojmë Algjerinë që mundi Gjermaninë Perëndimore 2-1 në Kupën e Botës në Spajnë në 1982.

Egjipti është “Reali” apo “Juventusi” i kontinentit. Shtatë herë fitues i Kupës, do të kërkojë trofeun e tetë, ndërsa do të luajë gjysmëfinalen ndaj Burkina Fasos. Duelin e fortë me Marokun arriti ta fitonte falë një goli shënuar në minutën e 87-të nga Mahmud Abdel-Moneim, të njohur shkurt si Kahraba, përkthyer në shqip “Elektriciteti”. Sulmuesi i tërhequr 22-vjeçar konkretizoi dëshirën e egjiptianëve për një tjetër gjysmëfinale.Ndeshja ishte e dobët, ashtu si edhe goli aspak spektakolar, por Egjipti beson se ndaj Burkina Fasos do të jetë tjetër histori.

Sfidanti.al