Trajner vendas apo i huaj, Shqipëria gabon gjithnjë në minutën e fundit!

Sa herë në, të paktën, 30 vjet, kemi thënë “mëkat” (nuk desha të përdor fjalën me origjinë turke, “gjynah”). Sa shpesh kombëtarja shqiptare është ndëshkuar në minutën e fundit, në shtesë, apo pranë tyre, për shkak të një të mete që mund të quhet gjenetike, dhe që do të duhet kohë të ndryshohet. Trajner vendas apo i huaj, kështu ka ndodhur shpesh, edhe kur në stol ishte Loro Boriçi, Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi apo Medin Zhega, si dhe padyshim gjatë epokës së të huajve, që nga Dosena e Brigeli, deri tek De Biazi e Reja.

Kështu ndodhi edhe në Stamboll, ku humbëm një ndeshje që duhej ta kishim fituar ndaj Turqisë. Goli i vetëm, ai i vendasve, u realizua në minutën e fundit, pas një mosmarrëveshjeje mes Ismajlit e portierit Strakosha, me mbrojtësin që nxorri huq numrin 1, dhe Xhen Tosun nuk e pati të vështirë të realizonte me kokë në portën bosh. Mëkat i madh sepse Rej Manaj pati dy-tri raste të pastër si kristali, por gaboi. Natyrisht, kush gabon më sulm nuk fiton, dhe kush gabon në mbrojtje humb.

Kjo do të thotë se Shqipëria ndodhet në vendin e katërt në grupin tonë eleminator të Europianit, pa shanse për të shkuar në finale, por me gjasë për të dalë të paktën në vendin e tretë, pasi Franca fitoi minimalisht në Islandë (Zhiru me penallti, në 64’). Franca e Turqia kanë nga 18 pikë, Islanda ka 12 dhe Shqipëria 9, ndërsa mbeten edhe nga 3 ndeshje për të luajtur. Kombëtarja e Rejës do të ndeshet me Moldavinë në 14 tetor në Çisinau, pastaj me Andorrën në “Elbasan Arena” dhe me Francën në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet në 17 nëntor.

Sfidanti.al