Anglia humb të parën eleminatore në 10 vjet ndaj Çekisë, Kosova me shpresë!

Disfatat shpesh i ka në Lindje. Shpikësja e futbollit, Anglia, pësoi humbjen e parë në 10 vjet në një ndeshje eleminatore, duke u përmbysur në 1-2 në stadiumin e Pragës përballë Republikës Çeke. Kanë kaluar thuajse ekzaktësisht 10 vite që kur Anglia u mposht 0-1 në “Stadiumin Republikan” të Kievit ndaj Ukrainës, në 10 tetor 2009, në eleminatoret e Botërorit.

Këtë herë luhet për Europian dhe anglezët u mposhtën nga një skuadër jo në lavdinë e dikurshme, por me mjaft përvojë, që të ndëshkon sapo i jepet rasti. Mediat britanike patën kritikë të fortë për të besuarit e trajnerit Garet Sauthgejt, të cilët luajtën shumë dobët dhe humbën përballë një kundërshtari gjithashtu modest. “Nëse do të kishte qenë ndonjë skuadër e fortë përballë, Anglia do të ishte bërë “copë”, – shkruan “Deili Meil”, – nëse fitohet në Sofie ndaj Bullgarisë, ndeshja e Pragës do të quhet thjesht një përjashtim, por gjithsesi është një këmbanë alarmi”.

Harri Kejn kaloi Anglinë në epërsi që në 5’, me penallti, por mbrojtësi Jakub Brabec barazoi shumë shpejt. U desh të vinte minuta e 85-të që Zdenek Ondrashek të festonte me gol debutimin e tij me kombëtaren. Sauthgejt hodhi në fushë një formacion me mjaft lojtarë të mirë, që nga portieri Pikford, mbrojtësit Tripier apo Megajer, mesfushorin Henderson dhe treshen ofensive Kejn-Stërling-Sanço. Në grupin ku bën pjesë edhe Kosova, Anglia e Çekia kryesojnë me nga 12 pikë, Kosova ka 8, ndërsa Bullgaria e Mali i Zi kanë nga 3 pikë, pasi barazuan 0-0 në Podgoricë.

Sfidanti.al