Trajner, më trego pak dashurinë tënde, thotë Pogbaja për Murinjon

Zhoze Murinjo nuk ka qenë gjithnjë kështu, ose më mirë të themi, nuk është gjithnjë i tillë. Nuk harrohen lehtë fjalët e Frenk Lampardit vite më parë kur vlerësonte trajnerin portugez që mbronte futbollistët e tij nga presioni i jashtëm, ndërsa tek Çelsi apo tek Interi ai ishte një figurë e adhuruar nga lojtarët.

Tek Mançester Junajtid, fillimisht u kritikua nga Henrik Mkitarian (“Murinjo kërkon shumë nga lojtarët, Venger është më miqësor), ndërsa tani ankesa ka nga Pol Pogba. Mesfushori francez që duket se e ka humbur busullën, mësohet të ketë thënë se dëshiron që Murinjo të tregojë më shumë ngrohtësi ndaj tij, më shumë dashuri dhe më shumë mbështetje.

Mesfushori 24-vjeçar që erdhi me statusin e superyllit nga Juventusi për rreth 105 milionë euro, duket i çoroditur dhe ka luajtur pak kohët e fundit, ndërsa ndaj tij ka pasur kritika të forta. Gjithsesi, kritika ka pasur edhe për Zhozen, pasi analistët kanë theksuar se gjendja do të kishte qenë ndryshe me Pep Guardiolën. Menaxherët e Pogbasë, ndërkaq, po shikojnë mundësinë që lojtari i tyre të largohet nga Mançesteri në verë.

Sfidanti.al