E paevitueshmja duket se do të ndodhë pasi kapiteni i Anglië nuk është se ka ndonjë shpresë të fitojë trofe të mëdhenj në Londër. Harri Kejn mund të bashkohet shpejt me një nga klubet e Mançesterit, pasi raportet në mediat angleze zbuluan se Totenhemi ka hedhur hapin e parë drejt realitetit të ri. Presidenti i klubit, Daniel Levi, mësohet se ka vendosur një çmim prej 150 milionë paundësh stërlina për kartonin e sulmuesit kryesor të ekipit të Zhoze Murinjos. Ai nuk dëshiron të humbasë yllin më të madh pa një kompensim të lartë financiar dhe është në pozita të mira sepse Kejni ka kontratë në “Uajt Hart Lejn” deri në 2024. Rroga e tij është 200 000 paundë në javë, por mediat shkruajnë se as Mançester Siti dhe as Mançester Junajtid nuk do të kenë problem t’i japin edhe më shumë. Totenhemi është në vendin e 9-të në Premier Ligë, pra jo vetëm që nuk lufton dot për titull, por rrezikon edhe kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm. Kejn ka shënuar 209 gola në 319 ndeshje për Spërsat si dhe 32 rrjeta në 51 ndeshje për Anglinë.
Sfidanti.al