Në “Old Traford”, Totenhemi i Maurisio Poçetinos nuk kishte shënuar dot asnjë gol, nuk kishte marrë asnjë pikë, ndërsa fitorja e fundit ishte arritur në 1 janar 2014, me 23 ndeshje pa sukses të ndonjë skuadre londineze. Gjithsesi, këto mbetën vetëm statistika, sepse mjaftoi një takim i vetëm që Totenhemi të fitonte 3-0 në fushën e Mançester Junajtidit, një sinjal i madh për Premier Ligës.
Harri Kejn shënoi golin e parë, në pjesën e dytë, dhe Lukas Moura i marrë nga Paris SG, shtoi dy të tjerë. Romelu Lukaku humbi rast të pastër për vendasit kur shifrat ishin 0-0, por Spërsat mund të kishin shënuar edhe më shumë.
Zhoze Murinjo pësoi humbjen më të thellë në fushën e tij, në gjithë karrierën si trajner, ndërsa tifozët miq e tallën duke kënduar “ti nuk je më, i veçantë”, apo “ti do të shkarkohesh nesër në mëngjes”. Talljet vazhduan me ish-yllin e Arsenalit, Aleksis Sançez (Sançez, Sançez, sa është rezultati”, ndërsa Totenhemi u ngjit në vend të dytë, e Junajtidi zbriti në të 13-in.
Mos vallë, Murinjo vërtet po shkon drejt shkarkimit? Sipas logjikës së futbollit, po, edhe pse klubi besohet se do t’i japë sërish kohë. Hera e fundit që Junajtidi humbi 2 nga 3 ndeshjet e para në ligë ishte në 1992-1993, sezonin kur ekipi i Sër Aleks Fergusonit fitoi titullin pas 26 vitesh pritjeje. Atëherë në “Old Traford” u soll Erik Kantona, po këtë herë cili “mbret” do të ishte shpëtimtar?
Sfidanti.al