Tortura e Sitit të Guardiolës vazhdon, dhe pse vetëm 5 pikë larg kreut!

Në çdo kampionat normal, kur je në këtë distancë nga vendi i parë, mund të ndihesh optimist se mund ta fitosh titullin. Mançester Siti ka 20 pikë në 12 ndeshje në Premier Ligë, 5 pikë prapa dyshes kryesuese Totenhem e Liverpul, që ka po aq ndeshje, veçse gjendja psikologjike tek “Qytetarët” është vërtet e rëndë. Pas barazimit pa shumë ngjyra në derbin ndaj Mançester Junajtidit në “Old Traford”, dhe pas barazimit në “Etihad” me Liverpulin e humbjes 0-2 në fushën e Totenhemit, nuk erdhi një reagim, por një tjetër zhgënjim.

Barazim 1-1 në fushën e vet daj Uest Bromit, ekipit të vendit të parafundit. Edhe pse kaloi në epërsi me Ilkai Gyndoganin, sërish ekipi i Pep Guardiolës nuk ia doli. Miqtë barazuan pas devijimit të topit nga Ruben Dias, ndërsa në minutat e fundit, portieri i birmingemasve, Xhonston bëri dy pritje të mëdha, sidomos ndaj Rahim Stërlingut. Siti dominoi mbajtjen e topit, territonin dhe kontrollin e ndeshjes, por jo rezultatin. Imagjinoni statistikat: Zotërimi i topit 77-23, Gjuajtjet 26-5, gjuajtjet në portë 7-1, korner 13-2!

“Nuk ia dolëm që të fitonim, – tha Guardiola në fund, – ishim më mirë se kundërshtari, patëm rastet në fund, por nuk mundëm. Uest Bromi është ekip i fortë fizikisht, luftarak, por sërish ne duhej të kishim fituar. E di se ekipet e fortë këtë sezon kanë humbur pikë, por për ne duhej të ishte ndryshe, vlen vetëm fitorja. Liga është shumë e vështirë këtë vit”.

Sfidanti.al