Shumë Benzema, por pak këmbë, kur talenti i jep fitoren Realit!

Zinedin Zidan vazhdon “ringjalljen” dhe duket se pozitat e tij tashmë janë vërtet shumë të mira. Një Real që e mbylli në vend të parë grupin në Champions, doli në vend të parë edhe në kampionat, ndonëse me golaverazh më të dobët se Sociedadi e Atletiko e Madridit, e mbi të gjitha me 2 ndeshje më shumë të luajtura. Gjithsesi, fitorja e tretë radhazi në La Liga dhe e katërta radhazi gjithsej janë një shenjë e qartë se madrilenët e kanë marrë veten dhe se cilësia e madhe që kanë në ekip, plus personalitetet në fushë, po i ndihmojnë që të kthehen pretendentë.

Fitorja 3-1 ndaj Bilbaos ishte sërish me polemika, por duhet thënë se ishte e merituar. Toni Kros shënoi golin e parë dhe Karim Benzema shtoi dy gola, ndërsa për baskët pati vetëm barazim të përkohshëm nga Ander Kapa në 52’. Bilbao mbeti me 10 vetë që në minutën e 13-të, ndaj duhet quajtur heroike që e mbylli ndeshjen me nivel të lartë. Jo vetëm kaq, por Atletiku kërkoi penallti (me të drejtë) në 8’ kur Karvahal rrëzoi Uilliamsin. Përveç 11-metërshit duhej të ishte edhe karton të kuq për madrilenin. Reali kërkoi më pas penallti për prekje të topit me dorë në zonë, gjithashtu me të drejtë.

Madrilenët nuk patën forcën e duhur fizike, por patën Benzemanë që bëri diferencën dhe klasin e Modriçit, Ramosit, Krosit, Benzemasë, Mendisë, Varanit, Valverdes apo Lukas Vaskezit. Po ashtu të Kurtuasë që bëri pritje shpëtimtare kur rezultati ishte 2-1.

Sfidanti.al