Një sukses që do të quhej i madh dikur, por që sot mund të mos vlejë aspak. Barcelona vërtet kaloi me shifrat 3-2 në fushën e Valencias dhe u barazua me pikë me Realin pranë kreut të La Ligës, veçse nuk e ka veten në dorë. Përtej kthimit të madh të Lionel Mesit, katalanasit nuk e kanë veten në dorë, edhe nëse i fitojnë të gjitha ndeshjes. Kjo sepse, nëse edhe Reali i fiton sfidat e tij, atëherë kampionë të Spanjës do të jetë Madridi, me pikë të barabarta me Barçën, me golaverazh më të keq, por me bilanc më të mirë në ndeshjet direkte sepse ka dy fitore. Gjithçka duket se u kompromentua në humbjen e pabesueshme në ndeshjen e prapambetur ndaj Granadës, 1-2 në “Kamp Nou, ku Mesi gjithashtu shënoi gol. Kapiteni po luan në 2021 në nivelet më të larta. Ai ka 19 gola e 8 asistë këtë vit, vetëm 20 ndeshje, pra me gati 1 gol për ndeshje.
Gjithsesi, favorit për titullin mbetet Reali, që bëri detyrën edhe pse me shumë vështirësi duke mundur 2-0 Osasunën në Madrid me gola të shënuar nga brazilianët Militao e Kasemiro. Për momentin Atletiko është në krye të kampionatit, me dy pikë më shumë sesa të dy rivalët e mëdhenj. Skuadra e trajnerit Simeone fitoi me fat 1-0 në fushën e Elçes, me gol të shënuar nga lojtari më i mirë i javëve të fundit, Markos Jorente. Fati ishte me Atletin pasi Elçe humbi penallti në fund, ndërsa madrilenët shpresojnë që fatin ta kenë edhe të shtunën në orën 16:15 në fushën “Kamp Nou”. Atletiko ka 76 pikë ndaj 74 të Realit e Barcelonës, kur duhen edhe katër javë deri në përfundim.
Sfidanti.al