Titulli i dytë për Francën apo revansh dhe triumf i ri për Kroacinë

Në konkurrimin më të rëndësishëm botëror të futbollit, në finalen e Kupës së Botës Rusi-2018, në ndeshjen e 64-të saj, sot në orën 17:00, në stadiumin “Lluzhnjiki” të Moskës do të ndeshen Franca dhe Kroacia.
Franca do të përpiqet që të fitojë titullin e dytë të kampionit të botës mbas 20 vjetësh, në finalen e dytë mbas asaj të vitit 2006 që ajo e humbi ndaj Italisë me penallti. Nga ana tjetër, për Kroacinë kjo do të jetë finalja e parë në historinë e kampionateve botërore dhe ajo përbën një shans që ajo të marrë hak ndaj Francës për humbjen në gjysmëfinalen e Kupes se Botes vitit 1998, kur Kroacia zuri vendin e trete.
“Në kampionatin botëror të vitit 1998, unë i ndoqa tri ndeshjet e para si një shikues i zakonshëm. Në Kroaci, të gjithë e mbajnë mend ndeshjen gjysmëfinale kundër Francës dhe dy golat e Lilian Turamit. Ajo ndeshje ka qenë temë diskutimi edhe gjatë 20 viteve të ardhshëm. Por, sidoqoftë, për mua dhe për këtë brez futbollistësh revanshi për atë ndeshje nuk është motivi kryesor. Ne jemi përqëndruar te finalja dhe do të përpiqemi që të luajmë ndeshjen më të mirë të këtij turneu final”, thotë trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç.
Francezët, nga ana tjetër, nuk ishin në rrethin më të ngushtë të favoriteve për trofeun e Kupës së Botës, por me fitoret që ajo ka arritur në këtë kampionat botëror si në grup me fitoret 2-1 ndaj Australisë e 1-0 ndaj Perusë dhe barazimin me Danimarkën, si edhe me fitoret në fazën e nokautit mbi Argjentinën 4-3, Uruguait 2-0 dhe Belgjikës 1-0, ata e kanë merituar plotësisht dhe pa asnje dilemë daljen në finale të kësaj kupe të botës.