Deshamp në majë të Everestit, nëse fiton si Zagallo dhe Bekenbauer

Trajneri i ekipit trekolor, Didie Deshamp, kapiteni i atij ekipi francez që fitoi Kupën e Botës më 1998, ka shansin që t’u bashkohet brazilianit Mario Zagallo dhe gjermanit Franc Bekenbauer që e kanë fituar titullin e kampionit të botës edhe si futbollistë dhe edhe si trajnerë. Për Deshampin, specialistët thonë se ai ka arritur që të gjejë një ekuilibër të vërtetë dhe e ka karikuar shumë mirë ekipin që, ç’është e vërteta, mund të thuhet se, praktikisht, nuk ka pika të dobta.
Në portë është Ugo Loris, në mbrojtje janë Samuel Umtiti, Benzhamin Pavar dhe Lukas Hernandez, në mesfushë – Ngolo Kante, Pol Pogba, Blez Matuidi dhe në sulm Kilian Mbape, Antoan Grizman dhe Olivie Zhiru.
Por, megjithatë, edhe kroatët që konsideroheshin në fillim të këtij kampionati botëror si favoritë në hije, pra të planit të dytë, kanë një formacion kualitativ dhe me përvojë, i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvlerësohet, qoftë edhe për faktin se ka arritur që të dalë deri në finale të kampionatit botëror, madje pa humbur asnjë ndeshje. Ata ishin superiorë më fazën e grupeve, duke arritur tri fitore, ndaj Nigerisë 2-0, ndaj Argjetninës 3-0 dhe Islandës 2-1. Më pas, në fazën nokaut, kroatët kaluan përmes një golgote të vërtetë, pra përmes një rruge mjaft të mundimshme, duke zhvilluar tri ndeshje nga 120 minuta secila, por, megjithatë, arritën që të eliminojnë Danimarkën dhe Rusinë me penallti dhe Anglinë në shtesën e ndeshjes.
Te Luka Modriçi, kroatët kanë ndoshta mesfushorin momental më të mirë në botë që është, ndërkohë, edhe një nga kandidatët më seriozë për çmimin “Topin e artë”, si lojtari nr.1 i kampionatit botëror. Në krah të tij luan mesfushori i shkëlqyer i Barcelonës Ivan Rakitiç, nderkohë që në sulm luan tandemi Mario Manxhukiç dhe Ivan Perishiç që përbëjnë një kërcvënim serioz për çdo mbrojtje në botë. Mbrojtja, nga ana tjetër, nuk është në nivelin e mesfushës dhe të sulmit, por, sidoqoftë, Dejan Lovrani, Domagoj Vida, Shime Versalko, si edhe portieri Daneil Subashiç kanë treguar se janë futbollistë të klasit botëror. Kjo ndeshje do të jetë e pesta mes Francës dhe Kroacisë. Deri tani, më të suksesshëm kanë qenë francezët që kanë arritur dy fitore (2-1 dhe 2-0) dhe dy barazime (0-0 dhe 2-2).
sfidanti.al