Titullar me Shqipërinë, gati për sfidën me Ibanez te Roma; Kumbulla është në lojë

Një gjë është e sigurt, muaji tetor për Marash Kumbullën mund të bëhet vërtet muaji i artë, ose të paktën ai që i sjell fat dhe që ai do ta dojë më shumë. Kjo sepse 1 vit më parë në 14 tetor të 2019 bëri debutimin në kombëtaren shqiptare që fitoi 4-0 në fushën e Moldavisë. Të dielën në 11 tetor 2020, qendërmbrojtësi I Romës bëri debutimin e tij me fanelën kuqezi si titullar. Trajneri Reja e zgjodhi për të drejtuar repartin e mbrojtjes në ndeshjen me Kazakistanin, një ndeshje që u mbyll 0-0, por që e mban në garë përfaqësuesen kuqezi për një ngjitje të mundshme në Ligën B të Nations League.

‘Është një rezultat i rëndësishëm që na mban në garë për objektivat tanë-tha Kumbulla në fund të ndeshjes-tani duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër sepse duam të bëjmë më shumë. Jam i lumtur për debutimin tim si titullar me këtë fanelë dhe për herën time të parë në fushë në Nations League’.

Ndeshja e radhës do të jetë të mërkurën ndaj Lituanisë ku Kumbulla me shumë mundësi do të jetë sërish titullar, më pas do të jetë kthimi në Trigoria për t’u përfshirë me mish e me shpirt te puna me Romën.

Kjo sepse me kthimin e Smalling, tani trajneri Fonseca ka 4 qendërmbrojtës për 3 vende. Duke parë impenjimet e shumta dhe dëmtimet e mundshme, Fonseca aktualisht ka 2 titullarë nga 3; njëri është padyshim Smalling, kurse tjetri është Mancini. Kështu në letër, për vendin tjetër duhet  të bëhet një garë mes Kumbullës dhe Ibanez që për më tepër janë 2 lojtarët më të rinj rreth të cilëve Roma kërkon të ndërtojë të ardhmen përsa i përket prapavijës.

Ndërkaq, duhen rregulluar disa pakujdesi dhe të fitohet eksperiencë ndërkombëtare(dhe në këtë pikë kombëtarja shqiptare mund të  ndihmojë Marash Kumbullën ) dhe të bindin Fonsecan për gjërat e mira që janë në gjendje që të bëjnë në fushën e lojës

Pikërisht edhe për këtë arsye, ndeshjet me përfaqësuesen kuqezi marrin më shumë rëndësi për Kumbullën. Ai do të jetë titullar ndaj Lituanisë dhe nëse do  të përsërisë lojën e tij të mirë, do të vendosë në vështirësi Fonsecën që të bëjë zgjedhjet e tij për ndeshjen e së shtunës ndaj Beneventos. Për momentin Ibanez është favorit për të qenë titullar, edhe sepse ai është në Trigoria dhe mund të punojë me trajnerin dhe pjesën tjetër të skuadrës, por Kumbulla është gati që të luajë kartat e tij deri në fund.

Sfidanti.al