Jeni në finalen e Kupës, por mos e mbushni ..kupën! Kjo thirrje vlen për kampionët e Skënderbeut dhe të rrezikuarit e Tiranës, pikërisht në prag të ndeshjes në Korçë. Le të mos i besojmë fjalët e përhapura për një ndeshje ujdi, për pagëzimin e së cilës janë kujdesur edhe “zotat’ që shfaqen me petkun e atij që shpëton jetë. Ndërkohë, le të dëgjojmë fjalët e një të luftëtari që nuk gabon, madje është si orakull për bardheblutë. Ja fjalët e Agostin Kolës, ato që ta detyrojnë ta shikosh me lupë ndeshjen “delikate”: “ Tirana nuk humbet në Korçë, por merr 1 pikë..” Sulmuesi nuk ndalet në aksionin e tij, por e dërgon edhe topin në rrjetë, si dikur kur luante në fushë, sapo zbulon “gralin” e madh: “ Ndërsa Kukësi do të fitojë kampionatin..”. Nëse do të fliste fusha dhe klasifikimi që kemi pjellur deri tani do të ishte i vërtetë, Kola nuk do të kishte shanse të parashikonte, ashtu si në kohën e tij kur ishte ndaluar të dije skenarin e epilogut.
E doni Tiranën një kategori më poshtë? Tani e gjetët për të shitur moral, pikërisht kur një nga ekipet më të mira të historisë së futbollit rrezikon humnerën? Sa shumë teatër kemi parë këtë sezon, pse qënka pikërisht kjo ndeshja që mbush ..Kupën! Apo ngaqë nuk i shpëtojmë dot zakonit të vjetër që finalistët e Kupës, lejohen ta lënë topin “shtatzënë” në ndeshjet e kampionatit. Për të nderuar një trofe që nuk mbahet mend kur e ka humbur virgjërinë, kampionati hap këmbët për të ofruar tradhëtinë e radhës. Kur topi ngjason me një kupë me helm, pa të cilën nuk jetokemi dot, duket si një çmenduri ta pretendosh futbollin me nder me pastërti, pikërisht ditën kur Tirana ka hallin më të madh në kampionat, do të vritet apo do të mbijetojë. Filmin e kanë kopsitur aq bukur sa në çastet e fundit, kur i mbyturi do ta shpëtojë jetën, do të dëgjojë frazën e paharruar: “ Për ekipet që mbeten jetimë, pa tifozë dhe pa shpresë, kujdeset njerka e Superligës…
Sfidanti.al