Tirana-Kukësi, “teatri i traditës” nuk mund të mungonte as këtë vit!

Dikur, në vitin e largët 1986, Dinamo fitonte 3-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit dhe shpallej kampione e Shqipërisë. Ishte një mbyllje e shëmtuar e një kampionati të shkëlqyer, ku dinamovitët, Tirana (atëherë 17 Nëntori) dhe Flamurtari zhvilluan një garë për titull që nuk është parë që prej 30 vjetësh. Skenat e Gjirokastrës u shtuan shpesh pas 1990-ës, kur bashkë me më shumë liri për të menduar dhe për të folur, patëm edhe shumë më tepër liri për të kurdisur gjithçka që na shkonte ndër mend.

Kështu mbërritëm deri tek mbrëmja e sotme në “Selman Stërmasi” ku Tirana dhe Kukësi luajtën një tjetër ndeshje sipas traditës tashmë të konsoliduar të luftës për kupën e kampionatit. Mediat dhe rrjetet sociale “u çanë” duke shkruar e deklaruar se Tirana e Kukësi ishin në aleancë, me kuksianët që duan kampionatin dhe Tiranën që do kupën, po ashtu shumëkush dyshoi se mund të luhej “me pjesë”. Gjithçka dukej si në atë skeçin e famshëm të Estradës së Fierit ku drejtori bërtiste me të madhe “do shkoj për kontroll të befasishëm”.

Ndeshja në kryeqytet përfundoi 2-1 për Kukësin, dhe me përmbysje. Taku shënoi në pjesën e parë për Tiranën, dhe Pejiç me Eminin pas pushimit, në një stadium ku kishte vetëm disa tifozë kuksianë dhe thuajse asnjë tiranas.

Jemi në javën e 21-të të Superligës dhe kur duhen edhe 15 të tjera, ne nuk arrijmë dot as të revoltohemi, dhe as të zemërohemi. Kemi kaq shumë vjet që e bëjmë saqë kjo truri ynë ka fituar imunitet ndaj kësaj “sëmundjeje”. Është gabim të zemërohemi thjesht me Tiranën dhe Kukësin, kur duhet të na kujtohen Dinamo, Partizani, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia, Teuta, Bylisi, Laçi, Elbasani e gjithkush tjetër.

Le të shpresojmë që vetingu në gjyqësor e në politikë të sjellë edhe një veting ndërkombëtar edhe në futboll.

Sfidanti.al