Në krye të ligës spanjolle është … Barcelona! A po na shikojnë mirë sytë, apo jemi në ëndërr? Si ka mundësi që Reali të jetë në vend të dytë kur ka humbur vetëm 1 e ka barazuar 4 ndeshje, ndaj 2 disfatave dhe 6 barazimeve të katalanasve? Ja që ndodh kur Madridit i ecën gjithçka ters përsa i përket kalendarit. Skuadra e Zinezin Zidanit ka plot 3 ndeshje më pak sesa rivali i saj i përjetshëm, me njërën që do ta luajë sonte në fushën e Osasunës.
Më herët, ndeshja në fushën e Valencias u shty për shkak të impenjimit të madrilenëve në Kupën e Botës për klubet, ndërsa takimi në Vigo ndaj Seltës nuk u zhvillua javën e kaluar për shkak të një dëmtimi në stadiumin e Seltës.
Barça, ndërkaq, nuk ka bërë asnjë datë pushim. Suksesi 6-0 në fushën e Alaveshit bëri që të ketë 49 pikë ndaj 48 të Realit, ndërsa është një renditje ku katalanasit vërtet shkëlqejnë. Ata kanë shënuar 61 gola ndaj 51 të Realit dhe besohet se Ronaldo e shokët e tij vështirë të shënojnë 10 në 3 takimet e prapambetura, sidomos në Valencia e në Vigo.
Lionel Mesi shënoi një herë në fushën e ekipit që do të përballet me Barçën në finale e Kupës së Mbretit, Luis Suarez shtoi dy dhe tani është golshënuesi më i mirë i ligës, ndërsa Nejmar e gjeti edhe ai golin e tij, ashtu si Ivan Rakitiç. Pati edhe një autogol të Aleksit, ndërsa treshja MSN shpreson të thyejë sërish rekordin e rrjetave.
Trajneri Luis Enrike dhe futbollistët e tij shpresojnë që Reali ta ketë të vështirë të marrë maksimumin nga ndeshjet e prapambetura. Kalendari pritet të ngjishet shumë, me përballjet e Ligës së Kampionëve, me ndeshjet e ekipeve kombëtare, ku përfshihen edhe takimet ndaj Valencias e Seltës. Detyra për Ronaldon dhe ekipin e Zidanit është vërtet e vështirë, ndonëse Reali mbetet favorit për titullin kampion.
Sfidanti.al