Mërgim Mavraj po e ndjen vërtet peshën e madhe të fanelës së Hamburgut, ndërsa ekipi i tij e ka lënë pas fillimin e vështirë të vitit. Skuadra e tij e re arriti fitoren më të madhe të sezonit, 3-0 në fushën e Lajpcigut pretendent për titull, duke i bërë një nder të madh Bajernit të Mynihut që tani është edhe më i sigurt se do ta mbrojë titullin kampion të fituar radhazi vitet e fundit.
Me Mavrajn në formacion, Hamburgu arriti fitoren e dytë radhazi dhe u ngjit në vendin e katërt nga fundi në Bundesligë, duke qenë edhe më larg rrezikut të rënies nga kategoria. Mbrojtësi tjetër i Hamburgut, Papadhopulos shënoi golin e parë, Uollas të dytin dhe Hant fiksoi shifrat 3-0, por të tre asistët u dhanë nga i njëjti lojtar, Nikolai Myler, që u shpall më i miri i ndeshjes. Ky ishte një tjetër sukses i ish-kampionëve të Gjermanisë dhe të Europës, pas kualifikimit për në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë.
Bajerni fitoi ndeshjen e tij 2-0 në fushën e Ingolshtatit, por vetëm në sekondat e fundit. Në minutënh e 90-të shënoi golin e parë Arturo Vidal, pas topit të Tomas Mylerit, dhe në minutën e 91-të ishte radha e Arjen Robenit, shërbyer nga Dagllas Kosta.
Renditja: Bajern 49 pikë, Lajpcig 42, Frankfurt 35, Dortmund 34